Historia e Çështjes së Kosovës

Historia e Çështjes së Kosovës

Historia e Çështjes së Kosovës që nga Zanafilla

ÇËSHTJA E KOSOVËS LINDI MË 1913 PËR SHKAK TË VENDIMEVE TË FUQIVE TË MËDHA, TË MARRA NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE NË LONDËR

·      Çështja e Kosovës lindi në vitin 1913 për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. (Më 22 mars, 11 gusht dhe 17 dhjetor 1913 u vendos çështja e kufijve të Shqipërisë). Ato vendime të marra në interes të paqes evropiane, që gjithsesi nuk u sigurua, toleruan ekspansionin e qarqeve drejtuese monarkiste të Beogradit, Cetinës dhe Athinës dhe përcaktuan e diktuan copëtimin e trevave shqiptare...

-        Harta e katër vilajeteve shqiptare - klikoni Këtu )
-        Pamje nga konferenca e Londrës 1913 - klikoni Këtu )
-        Harta e Kosovës  - klikoni këtu )


*    *    *
     Nëse nuk do të llogarisnim momente më të hershme, që i përkasin shek. XIX, të cilat dora-dorës krijuan dhe dimensionuan çështjen shqiptare në përgjithësi (p.sh. vendime të Kongresit të Berlinit 1878 etj.), nuk ka dyshim se çështja e Kosovës lindi në vitin 1913 për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. (Më 22 mars, 11 gusht dhe 17 dhjetor 1913 u vendos  çështja e kufijve të Shqipërisë). Ato vendime të marra në interes të paqes evropiane, që gjithsesi nuk u sigurua, toleruan ekspansionin e qarqeve drejtuese monarkiste të Beogradit, Cetinës dhe Athinës dhe përcaktuan e diktuan copëtimin e trevave shqiptare. Jo thjesht pohimi i drejtuesit të Konferencës, ministrit të Jashtëm britanik Sër Eduard Greit që natyrisht ishte i mirinformuar për realitetin në Ballkan kur bënte deklaratën e njohur, por edhe të gjithë treguesit përcaktues, veçanërisht përbërja etnike dhe kompozimi shpirtëror i shumicës dërrmuese të popullsisë së Kosovës dhe shumë viseve të tjera që iu aneksuan Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë më 1913, dëshmonin se ishte fjala për treva të mirëfillta shqiptare që sakrifikoheshin arbitrarisht dhe padrejtësisht, të mbeteshin nën sundimin e huaj, në vend që të përfshiheshin natyrshëm në shtetin e vet kombëtar të porsakrijuar. (“Unë e di fare mirë, - deklaroi E. Grei më 12 gusht 1913  në dhomën e komuneve, - se kur gjithçka të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe që  e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë vendore. Qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi i marrë e ka siguruar atë, ai ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes në Evropë”).
               
Shqiptarët nuk e krijonin dot çështjen e Kosovës më 1913

     Shqiptarët nuk ishin në gjendje të pengonin më 1913 krijimin e çështjes së Kosovës dhe as patën rast, fuqi e aleatë që ta korrigjonin apo ta zgjidhnin atë më vonë në mënyrë të drejtë. Kjo duhet bërë me mirëkuptim në forumet ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë edhe shtetet që morën vendimin e gabuar dikur, duke u ngarkuar me përgjegjësinë e krijimit të një precedenti të rrezikshëm për stabilitetin në rajon deri në ditët tona. Historia gati shekullore e konfliktit midis shqiptarëve të dëmtuar rëndë dhe atyre që përfituan padrejtësisht, për shkak të koniunkturave të kohës, është argument i pakundërshtueshëm për të shpjeguar situatën negative që u krijua dhe agravoi me pasoja shumëdimensionale, të cilat u kushtuan shtrenjtë të gjithëve.
     Unë besoj se të gjithë e kanë të qartë se për shqiptarët përgjithësisht dhe për elitën politike shqiptare kudo qoftë, çështja në fjalë (pra çështja e Kosovës) nuk mund të shmanget apo të neglizhohet. Ajo ka lindur kundër vullnetit të shqiptarëve, duke vënë nën sundimin e huaj gjysmën e tyre dhe prandaj sa kohë ekziston një shtet shqiptar, por edhe në Kosovë e banuar nga shqiptarë,  çështja e Kosovës nuk mund të mos ekzistojë.
     Kjo lidhje ka qenë e njohur mirë si nga shqiptarët, ashtu edhe nga ata që e aneksuan Kosovën, përgjithësisht nga shtetet ballkanike, ashtu edhe nga Fuqitë e Mëdha me interesa në rajon. Dhe gjithkush, sipas mundësive, në përputhje me synimet strategjike që ka pasur, ka luajtur lojën e vet politike në vorbullën e kombinacioneve lokale, rajonale e ndërkombëtare, me ndërmarrje dypalëshe e shumëpalëshe.
     Shqiptarët, në përgjithësi, në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, për arsye të kuptueshme, kanë qenë të interesuarit e parë që çështja e Kosovës të zgjidhej sa më shpejt, sa më drejt dhe në mënyrë përfundimtare. Natyrisht, zgjidhja më reale, por edhe më e vështira për t’u realizuar, ka qenë që Kosova dhe trevat e tjera të trungut etnik shqiptar, të shkëputura më 1913, të ribashkoheshin me Shtetin Shqiptar.
    Shqiptarët sot, të ndërgjegjshëm për vështirësitë që paraqet zgjidhja e problemit dhe me besim se demokratizimi, integrimi dhe plotësimi i shumë standardeve në rajon, sipas parametrave të avancuara euro-amerikanë, do të kënaqte pjesën më të madhe të kërkesave të tyre, nuk kërkojnë atë që do të ishte e natyrshme. Ata, edhe pse janë akuzuar shpesh se synojnë krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, kanë deklaruar shumë herë në mënyrë institucionale, si në Shqipëri dhe në Kosovë, se nuk synojnë të bashkojnë në një shtet të vetëm Shqipërinë dhe Kosovën ose treva të tjera ku popullsia shqiptare përbën shumicën e popullsisë. Ata mbajnë një qëndrim të tillë të matur në interes të stabilitetit në rajon edhe pse trevat shqiptare jashtë shtetit kombëtar janë rrudhur dukshëm gjatë shek.XX, si rezultat i politikës së presionit e të spastrimit etnik që ndoqën qarqet drejtuese të shteteve që i sunduan. Këtu do të duhej sqaruar se termi “Shqipëri e Madhe” është përdorur gjithnjë në mënyrë abuzive, dhe s’ka asgjë të përbashkët me termin “Serbi e Madhe” dhe ca terma të tjerë të ngjashme në Ballkan, sepse shqiptarët, edhe në të kaluarën, nuk kanë pretenduar kurrë më tepër se bashkimin në një shtet të vetëm të territoreve ku etnikisht kanë qenë popullsi shumicë.

Shqiptarët, të pajtuar me gjendjen e re të Kosovës

     Shqiptarët nuk kërkojnë t’u rikuperohen dëmet që pësuan në vitin 1913. Ata madje janë të gatshëm të sakrifikojnë sërish duke pranuar kufijtë që u vunë pa dëshirën dhe kundër interesave të tyre më 1913 apo 1945. Vetëm në Federatën Jugosllave ata u ndanë në 4 njësi, në Maqedoni, në Malin e Zi, në Kosovë dhe në Serbibë “e ngushtë”, edhe pse banonin në mënyrë kompakte në një territor të pandërprerë gjeografikisht. Por shqiptarët nuk mund të lejojnë të copëtohen më tej me kufij të rinj, që shtojnë probleme në vend që të zgjidhnin ato ekzistueset, që sjellin dizintegrim në vend që të shpejtojnë integrimin e natyrshëm. Ata nuk mund të lejojnë që, posaçërisht kundër interesave të tyre të nëpërkëmbura gjatë gjithë shek.XX, të zbatohen edhe këtej e tutje rregulla specifike loje.
     Shqiptarët pranojnë vendosjen dhe respektimin e standardeve në kufijtë ku i gjeti fundshekulli XX dhe bota mund të monitorojë hapat e tyre në rrugën e duhur dhe seriozitetin e deklaratave të tyre. Në këtë kuadër, ata në përgjithësi, dhe veçanërisht kosovarët, kanë kërkuar gjithnjë (shprehur hapur më 1944, 1968, 1974, 1981, 1990 e në vijim), dhe kërkojnë me forcë edhe sot, që Kosova të jetë shtet i pavarur. Unë nuk besoj se ka ndonjë njohës, sado mediokër të çështjes së Kosovës, të historisë së Kosovës, që nuk i di arsyet përse Kosova duhet të jetë e pavarur.
     Me një renditje, që nuk ka të bëjë gjithnjë me rëndësinë e argumentit, mund të shënohet se, së pari, Kosova duhet të jetë e pavarur nga Serbia sepse ajo nuk është Serbi. Mitet serbe nuk mund as t’i sjellin serbët në Ballkan para shek. VI-VII, as ta vendosin shtetin serb në Kosovë, për më shumë se në një periudhë të caktuar të mesjetës paraosmane (kryesisht fundi i shek. XII-XIV). Kosova, edhe pse ka qenë disa herë nën sundimin serb, përfshi edhe periudhën pas vitit 1913, mbeti gjithnjë një tokë shqiptare (shqiptarët ishin aty në vitin 1389, kur zhvillohej Beteja e famshme e Kosovës, ishin përsëri aty gjatë luftrave austro-turke të fundshekullit XVII dhe fillimshekullit XVIII, ishin gjithnjë aty më 1878, 1912, 1945 dhe 1999). Gjatë shekullit XX shqiptarët nuk përbënë kurrë më pak se 66% të popullsisë së Kosovës dhe në prag të shpërbërjes së  Federatës Jugosllave përbënin aty mbi 85% të popullsisë kundrejt 8% të serbëve.
     Së dyti, Kosova duhet të jetë e pavarur nga Serbia, sepse gjithnjë është dhunuar nën sundimin e saj. Një informacion mëse i plotë, i servirur edhe në mënyrë institucionale në Jugosllavi, dëshmon për masakra, shpronësime, shpërngulje me dhunë të kryera mbi shqiptarët dhe për kolonizim të viseve të tyre me elementë serbë, d.m.th. për një politikë permamente spastrimi etnik të organizuar nga shteti në vitet 1878, 1912-1915, 1918-1941, 1945-1966, 1981-1999).
     Së treti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse nën sundimin e Serbisë ajo është penguar të zhvillohet normalisht. Pasojat e politikës së trajtimit kolonial, si para ashtu edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe, veçanërisht, rrënimi i ekonomisë në vitet 90, mund të riparohen vetëm në një Kosovë të pavarur nga Serbia. Kujtojmë vetëm dëmet e ekonomisë se shqiptarëve në Kosovë nga reforma agrare kolonizuese dhe shpërnguljet në vitet 1918-1941, me pasoja të pallogaritshme në të gjithë treguesit, si dhe deformimet e ekonomisë së Kosovës pas vitit 1945, si rezultat i sasisë së pakët dhe orientimit të papërshtatshëm të investimeve, pasojë e të cilave ishte rënia e prodhimit dhe GDP për banor nga 1:2 në vitin 1945, krahasuar me mesataren jugosllave, në 1:4 në vitin 1990.
     Së katërti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse ajo është ndjerë dhe ndjehet gjithnjë shqiptare. Mjafton të kujtohet reagimi masiv i popullsisë së saj në kundërshtim të vendimeve të Kongresit të Berlinit më 1878, për copëtimin e trevave shqiptare, i realizuar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, programet kombëtare të elitës politike të Kosovës të organizuar në Komitetin e Kosovës në periudhën midis dy luftërave botërore, vendimet e Konferencës së Bujanit dhe Lidhjes së Dytë të Prizrenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, lëvizja ilegale dhe legale në periudhën 1945-1999, rezistenca e organizuar dhe spontane gjatë gjithë shek. XX kundër sundimit serb etj.
     Së pesti, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse nën sundimin e Serbisë ka qenë e penguar të integrohej natyrshëm në rajon e të kthehej në një element stabiliteti. Prerja e korridoreve të komunikimit që ekzistonin para 1913, me pasoja veçanërisht për popullsinë shqiptare, politika ekonomike që imponoi integrim të dhunshëm, diskriminues dhe vartësi nga Serbia dhe Federata, vendosja e shqiptarëve në pozita inferioriteti nacional, moral dhe ekonomik, nxitja e elementit serb kundër tyre dhe ndezja e konflikteve nacionale në Kosovë, janë disa nga provat e shumta që tregojnë përse u kthye Kosova në vatër tensioni në rajon.
     Së gjashti, edhe juridikisht, sipas specialistëve, Kosovës nuk i mungojnë argumentet për të qenë e pavarur nga Serbia. Prof. Noel Malkolm, ndër të tjerë, ka rreshtuar argumente që provojnë se Kosova as juridikisht nuk ka pengesa për të qenë e pavarur. Vlen të shihet në këtë plan fakti se Jugosllavia e viteve 1918-1944 nuk ishte juridikisht Serbia e vitit 1913, të cilës iu dha Kosova. Po kështu as Federata e Titos. Më tej, organe legjitime për Kosovën si Konferenca e Bujanit, më 1944, Kuvendi i Kaçanikut, Kushtetuta dhe Referendumi të viteve 1990-1992, morën vendime që s’ka pse të mos merren në konsideratë, madje ndonjëri kishte natyrë plebishitare, kurse vendimi i “Këshillit Krahinor” të Kosovës i marrë në Prizren (1945), për kthimin e Kosovës në një “obllast”, apo qark të Republikës së Serbisë, ishte një imponim ilegjitim. Periudha gati një shekullore, posaçërisht ajo e viteve 1999-2006, konfirmon qëndrimin kolektiv deri institucional, pa përjashtuar edhe sakrificën kolektive të popullsisë shqiptare të Kosovës për t’u vetëqeverisur dhe për të qenë e pavarur plotësisht nga Serbia.
     Së shtati, Kosova duhet të jetë e pavarur sepse asnjë organizëm  ndërkombëtar, nuk mund të marrë përgjegjësinë t’i mohojë një popullsie shumicë dërrmuese në një territor të përcaktuar qartë, të gatshme të votojë të monitoruar vullnetin e vet sa herë t’i kërkohet, të drejtën e vetëvendosjes për të qenë e pavarur. Kosova duhet të jetë e pavarur sepse Organizma ndërkombëtare universale si Kombet e Bashkuara, mandej SHBA dhe BE, janë përcaktuar të sigurojnë integritetin, stabilitetin dhe zhvillimin në rajon e më gjerë duke respektuar të drejtat njerëzore, përfshi edhe ato kombëtare dhe vullnetin e shumicës.

Serbët dhe e vërteta për Kosovën

     Ndërsa për shqiptarët çështja e sigurimit të pavarësisë së plotë të Kosovës nga Serbia, përveçse një çështje e drejtë është një çështje jetike, nuk mund të thuhet se ajo është e tillë edhe për kombin serb. Serbët do të duhej të ishin pas shqiptarëve më të interesuarit për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës, por ata deri sot, përgjithësisht, nuk kanë llogaritur interesat e shqiptarëve. Në Kosovë jeton vetëm një minoritet serb, por kjo trevë ka bërë pjesë në gjeopolitikën e qarqeve drejtuese serbe për ekspansion dhe dominim në Ballkanin Perëndimor. Ajo ka qenë konsideruar rajon strategjik që lidhte Serbinë me Maqedoninë e lakmuar gjithnjë, ka qenë element plus që ka forcuar pozitat serbe në një shtet ku përfshiheshin edhe kroatët e sllovenët, sikurse ka qenë Jugosllavia Mbretëri dhe Jugosllavia Republikë Socialiste Federative, ka qenë llogaritur si territor i domosdoshëm për të pretenduar një dalje në Adriatikun Jugor përmes Shqipërisë Veriore, mandej ka qenë rajon potencialisht shumë i pasur, me vlera për ekonominë e Serbisë, rregullator i tregut serb e jugosllav, ka qenë amortizator krizash e trazimesh sociale etj. Përsa i përket miteve serbe, që e paraqesin Kosovën si “djep të Serbisë”, ato kanë qenë dhe janë vetëm mjet justifikimi, që elitës serbe i ka shërbyer për të mbuluar synimet politike ekspansioniste për krijimin e “Serbisë së Madhe”, një propagandë komode për të përfituar e shfrytëzuar opinionin e brendshëm serb dhe atë ndërkombëtar.
     Plane e këndvështrime të kësaj natyre i kanë penguar qarqet drejtuese të Serbisë, por, për shkak të mentalitetit të krijuar gjatë dy shekujve, edhe një pjesë të popullsisë serbe, që t’i shikojnë e trajtojnë fqinjët e tyre shqiptarë si partnerë e jo si armiq, ose së paku, si fajtorë për shumë probleme që ka pasur Serbia. Dokumentacioni i publikuar është i mjaftueshëm për të dëshmuar se synimi i Serbisë zyrtare e jozyrtare, i qarqeve drejtuese në pozitë ose në opozitë, ka qenë asgjësimi i shqiptarëve në Kosovë e më gjerë, në pamundësi të asimilimit, si edhe ricopëtimi, ose, së paku, dobësimi dhe nënshtrimi i Shtetit Shqiptar. (Shih për këtë platforma të shumta, të njohura si “Naçertania” e 1844-ës, elaboratet e intelektualëve serbë të “Klubit serb të Kulturës” në vitet 30-të, veçanërisht dy elaboratet e viteve 1937 dhe 1944 të akademikut Vasa Çubriloviq, elaboratet e Stevan Moleviqit, diplomatëve Ivo Andriq e Ivan Vukotiq, Konventën për shpërnguljen të vitit 1938 (të penguar fatmirësisht në zbatim nga Mustafa Qemal Ataturku), marrëveshje të tjera, mandej Memorandumin e Akademikëve serbë të vitit 1986, por edhe shumë deklarata e veprime zyrtarësh të lartë si Millosheviqi, apo edhe njerëzish anonimë).
     Për pasojë, shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të përfshira në Serbi e Jugosllavi, vetëm gjatë shek.XX, pavarësisht nga ndonjë premtim demagogjik për përfitime në momente të caktuara, asnjëherë nuk u trajtuan normalisht e aq më pak nuk u lejuan të vetëvendosin për të ardhmen e tyre. Ata u penguan në mënyra të ndryshme, pa përjashtuar edhe përdorimin e dhunës së drejtpërdrejtë, të kenë më shumë se disa deputetë në skupshtinën (parlamentin) e paraluftës së Dytë Botërore, mandej, pas Luftës së Dytë Botërore, u penguan të kenë më shumë se autonomi krahinore në RFSJ, stadin më të lartë të së cilës e sanksionoi Kushtetuta e vitit 1974, kurse në vitet 90-të, me rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, treva e tyre u kthye në një koloni të Serbisë.
     Pasojat e kësaj politike konstante antishqiptare, që zë fill nga viti 1913, janë humbje të  konsiderueshme jetësh njerëzore, pengesa të rritjes së natyrshme demografike, ngecje ekonomike, probleme të mëdha sociale, arsimore, kulturore, trauma shpirtërore kolektive etj. (Pasojë e politikës së përmendur janë dhjetëra mijë të vrarë (nga të cilët mbi 10 mijë të vrarë e të zhdukur vetëm gjatë viteve 1998-1999), qindra mijë të shpërngulur (nga të cilët rreth 1 milion deri në vitin 1966, qindra mijë të tjerë deri në vitin 1998 dhe gati 1 milion të tjerë vetëm në pranverën e vitit 1999, të cilët për fat të mirë, me angazhimin e faktorit ndërkombëtar, u rikthyen në Kosovë pas largimit të trupave serbe), një numër i pallogaritshëm shqiptarësh të keqtrajtuar, të shpronësuar e të grabitur, dëme dhe shkatërrime masive, përqindje e lartë e analfabetizmit, standart i ulët i jetesës etj.).
     Një politikë e tillë e zbatuar mbi shqiptarët, nuk mund të mos krijonte, sikurse edhe ka ndodhur, një hendek të thellë midis shqiptarëve dhe serbëve, problematik për raportet e mëtejme midis tyre, deri sa të ndërtohen raportet e reja që duhet të shërojnë plagët e vjetra e të rivendosnin marrëdhënie normale. Hapja e diskutimeve për statusin e Kosovës ku ende pozicionet e palëve janë krejt të kundërta, gjithësesi është hapi i parë i duhur që sjell, jo vetëm për shqiptarët por edhe për serbët, shansin e madh që të hidhet pas shpine e kaluara dhe të ndërtohen raportet e reja, të cilat padyshim, pritet të sjellin për të dy palët dhe për gjithë rajonin stabilitet, zhvillim e integrim.
     Analistë të shumtë që kritikojnë trajtimin e pavëmendshëm, jorealist e ndoshta eksperimental të çështjes së Kosovës gjatë shek.XX, kanë pranuar se duke serviur për shqiptarët e Kosovës një lidhje varësie nga Serbia, qoftë edhe nën emrat autonomi e zgjeruar, republikë e tretë në Unionin e mbetur Serbi-Mal i Zi etj., ose duke rekomanduar copëtim të Kosovës, krijim enklavash etj., as në Kosovë, as në viset e tjera shqiptare e më gjerë, madje, as në Serbi, rrjedhimisht as në rajon, nuk është e mundur të prodhohet mjaftueshëm damokraci, paqe dhe prosperitet, në kuota që do të ishin të pranueshme për standardet që kërkon Bashkimi Europian. Madje njëri nga variantet, përkatësisht ai që e llogarit Kosovën me  statusin e një republike të bashkuar me Serbinë dhe Malin e Zi, tashmë, me përcaktimin e kombit malazez, nëpërmjet referendumit të 21.05.2006, për të qenë shtet, konsiderohet krejtësisht i parealizueshëm. Përcaktimi i Malit të Zi, për t’u shkëputur nga Serbia, duhet t’i heqë çdo dilemë edhe Serbisë edhe  faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në mënyrën e duhur.
     Cilatdo të kenë qenë dikur motivet që, për shkak se siguronin avantazhe të ndryshme, e nxisnin Serbinë të ndërtonte një politikë komplekse antishqiptare, sot vetëm një gjykim anakronik, ose llogari politike që nuk synojnë perspektivën, mund ta mbajë elitën politike serbe në pozicionet e vjetra.
     Në Serbi elita politike nuk mund të mos e kuptojë se dy shtete shqiptare në Ballkan nuk prishin ekuilibrat dhe nuk dhunojnë paqen e sigurinë rajonale. Mënyra si veprohet sot për zgjidhjen e problemeve duke respektuar parametrat demokratike në vendimmarrje në politikat e brendshme e të jashtme, nuk sjell asnjë rrezik për ndonjë reaksion zinxhir që do të ndizte zjarre aty ku ka minoritete, sikurse paralajmërojnë pa argumente kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës.
     Në Serbi e dinë gjithashtu se me format e vjetra të mbajtjes nën kontroll Kosova nuk ka vlera ekonomike për Serbinë, madje në atë situatë pengohet edhe çlirimi i energjive mendore dhe ekonomike të serbëve për ngritjen e gjithanshme dhe integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Në Serbi e kanë të qartë se Shqipëria dhe Kosova, qoftë veçmas qoftë të llogaritura së bashku, kanë një ekonomi të vogël që ka nevojë për lidhje më të gjera me fqinjët dhe gjithë rajonin, rrjedhimisht janë të interesuara për zbatimin e marrëveshjes së asocim stabilizimit, orientim ky i garantuar edhe nga interesat e Bashkimit Evropian dhe të ShBA.
     Në Serbi nuk mund të mos e shohim se shqiptarët i vlerësojnë dhe i dëshirojnë lidhjet e hapura dhe miqësore në rajon, sepse vetëm 60 milion banorët e tij dhe jo gjithsej 6-7 milion shqiptarët e veçuar, e bëjnë rajonin, pra edhe trevat shqiptare, pjesëtare të një tregu me përmasa të pranueshme për investime serioze perëndimore. Unë besoj se duhet të jenë shtuar serbët, që e kuptojnë se BE dhe ShBA, dhe dihet pesha e tyre në zgjidhjen e problemeve në botë, duan që në Ballkan të kalohet nga faza e stabilitetit në atë të zhvillimit rajonal. Pikërisht në këtë kuadër ShBA vlerësojnë zgjidhjen e çështjes së sovranitetit dhe zhvillimit të shqiptarëve në Kosovë, padyshim edhe të statusit dhe të standarteve të duhura për pakicën serbe atje. Rajoni si i tërë mund të ketë sukses për t’u drejtuar në BE vetëm nëse lidhet mbi bazën e respektimit të të drejtave të natyrshme të gjithkujt, qoftë të kombeve e kombësive, qoftë të pakicave dhe të shanseve të të gjithëve për zhvillim ekonomik kulturor etj.
     Në Serbi duhet jo vetëm ta kuptojnë, por edhe të guxojnë të hedhin hapat në drejtimin e duhur, se Pavarësia e Kosovës dhe e Malit të Zi, tashmë e vendosur kjo me referendumin e datës 21.05.2006, do t’i vendosin palët në raporte partneriteti dhe lidhjesh normale, që përfshijnë edhe lidhjet ekonomike. Vetëm kështu mund të shkohet drejt rezultatit të kërkuar nga të gjithë.
     Natyrisht zgjidhja e çështjes së Kosovës shqiptarëve do t’u sillte në dimensione reale forcimin e lidhjeve të shumëllojshme ndërshqiptare, të penguara artificialisht, posaçërisht lidhjeve ekonomike, por ky treg, që do të ishte pjesë e integrimit rajonal dhe më gjerë integrimit evropian, tregtar e të investimeve, është me interesa të ndërsjellta që nuk pengon askënd, madje u sjell të mira të gjithëve. Vetëm kështu viset shqiptare në të dy shtetet shqiptare, por edhe Serbia do të kalojnë nga faza e nevojave për ndihma te investimet normale, nga papunësia e ngecja ekonomike në zhvillim ekonomik, në kapërcimin e armiqësive të së kaluarës.

Pavarësia e Kosovës

     Pavarësia e Kosovës do të shërbente si një faktor madhor stabiliteti edhe për faktin se vetë Kosova, e cila ka nevojë për zhvillim, për investime për përparimin, do të siguronte stabilitetin e vet të brendshëm për qytetarët e vet. Asnjë projekt tjetër veç pavarësisë nuk mund të sillte aty paqe e stabilitet, por edhe në botën shqiptare në Ballkan, rrjedhimisht edhe në rajon.
     Në Serbi, vihet re dhe është për të ardhur keq që ende për shumë arsye, asnjëra e pakalueshme, nuk është gjendur solucioni i përshtatshëm që të afrohet me atë që kërkojnë me këmbëngulje shqiptarët, e cila është as më pak e as më shumë por shteti apo republika e Kosovës e pavarur dhe pa lidhje speciale me Serbinë. Pozicionet e kundërta nuk çojnë kurkund, veçse hapin shtigje për zgjatjen e agonisë, sjellin vonesë në evropianizimin e Ballkanit, krijojnë mundësi për instrumentalizim të palëve në konflikt etj
     Çështja e Kosovës e krijuar dikur kundër interesave të shqiptarëve solli për ta një tragjedi gati shekullore por edhe destabilitet në rajon, prandaj sikurse theksojnë personalitete të shumtë në botë, njohës të thellë të çështjes së Kosovës, ndër të cilët do të citoj zotin Riçard Hollbruk, kjo tragjedi duhet dhe “... do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës”.
     BE dhe ShBA i kanë të gjitha instrumentat që serbët të kuptojnë se pavarësia e Kosovës ndihmon edhe Serbinë për t’u çliruar nga e shkuara e për të ecur përpara. Ato i kanë mundësitë për të bindur edhe disa fuqi të mëdha (si Rusia e Kina) që janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës, se ky hap është në interes të gjithë botës së re demokratike. Shqiptarët shpresojnë se në zgjidhjen më të drejtë të mundëshme të çështjes së Kosovës, sikurse deri sot, edhe në të ardhmen, Republika Turke do të luajë rolin e vet konstruktiv.

·       Autori është Drejtor i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
     Tiranë, 13. XII. 2007

Feja Islame në trojet Shqiptare para Osmanlinjve

Feja Islame në trojet Shqiptare  para Osmanlinjve


Në tekstet shkollore, në shkrimet gazetareske dhe në media të ndryshme, historianët tanë praninë e Islamit në Ballkan dhe në trojet shqiptare e shohin krahas pushtimeve Osmane.
Të dhënat dëshmojnë se gjurmët e Islamit në Ballkan dhe në trojet shqiptare janë shumë më të hershme para shekullit XIV. Të shkruhet për praninë e Islamit në ballkan dhe në trevat shqiptare kërkon një studim dhe hulumtim të madh. Të shumta janë faktet që dëshmojnë për praninë e Islamit, kontaktet arabo-islame me Ballkanin, dhe në vend që të zbulohen nga holumtuesit tanë, janë meritë e të huajve, por ne në këtë punim do të cekim vetëm disa prej argumenteve të historianëve.
Kështu, hulumtuesi perëndimor G.B. Pellegrini thotë se “shumë gjuhë në Mesdhe edhe sot në glosarin e vet kanë shumë fjalë arabe, që gjithsesi nuk I kanë përhapur e sjellur vetëm turqit në Evropë, por ato janë rrezulltat I kontakteve më të hershme të Evropës me arabët”.
Arabët, përkatësisht kultirën arabo-islame e kemi të pranishme në Adriatik dhe viset bregdetare qysh ne shekullin VIII, e që me ndërprerje të shkurtra do ta hasim deri në fillim të shekullit XI, apo në vitin 1023, kur nga Sicilia ndërmorën sulmin e fundit në bregun lindor të Adriatikut. Nga këto kontakte tregtare, ushtarake, diplomatike, shkencore e religjioze prej tre shekujsh, e intensive rreth një shekulli e gjysëm, kemi ndikime të mëdha reciproke, e sidomos të atyre arabo-islame mbi ato ballkanike, pra edhe iliro-shqiptare, si kulturë më e avancuar e cilësore. (Enciklopedija Jugoslavije, Zagreb, MCMLIX, fq. 182; Pomorska enciklopedija, Zagreb, MCMLIV, fq. 182; shih Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliroshqiptare gjat shekujve, fq.208-209)
Prandaj, duke u nisur edhe nga hershmëria e tyre, këto lidhje kanë lënë gjurmë të thella në trevat ballkanike e më gjerë. Kështu mund të përmendim se në disa fshatra të Mostarit janë zbuluar monedha argjendi të periudhës së Mervanit II, El-Himarit (744-750), që dëshmojnë se muslimanët e atëhershëm kanë zhvilluar një jetë aktive me popujt e ndryshëm, në rastin tonë me iliro-shqiptare. Monedhat e gjetura nga njëra anë kanë të shkruar suren “El-Ihlas” të Kur’anit, në mes maksimën e teuhidit, monoteizmin: La ilahe il-lall-llah, ndërsa nga ana tjetër ajeti 33 të surës Kur’anore “Et-Tevbe”. (Ali M. Basha, Islami në shqiperi gjat shekujve, fq. 35)
Orientalisti serb R.Bozhoviq kontaktet islamo-evropiane, e veçanërisht ato sllave-islame, por edhe ndikimet reciproke, i sheh se janë zhvilluar në tri drejtime: 1) nëpërmjet Bizantit, përkatësisht kufirit bizantino-arab dhe luftërat ndërmjet dy perandorive, 2) nëpërmjet Spanjës, Egjiptit dhe Siçilisë, në të cilat civilizimi arab ka arritur përmasa të mëdha, 3) nëpërmjet Hungarisë, përkatësisht nëpërmjet Veriut dhe luftërat nomadë, peçenegëve.
Poashtu, mësimet islame, kulturën islame në trojet tona I sollën edhe peçenegët, turqit vardarianë, poashtu edhe figura kryesore të misionarëve, që përmendet në historikun e islamizimit të viseve tona, është figura e Sari Salltëkut. Këto misionarë dhe këto grupe muslimanësh e sollën fen Islame në trojet tona para ardhjes së Osmanlinjve.
Në librin “Historia e popullit shqiptarë I”, Grup Autorësh fq. 148-149, tregon: “Kulturën arabo-islame e kemi të pranishëm në trojet iliro-shqiptare edhe me peçenegët qysh në shekullin VIII, të cilët në këtë kohë I hasim të kufizuar në Jug me themën e Maqedonisë, Strumës, në Veriperendim me sllavët, në Lindje me Detin e Zi, në Veri me Hungarezët e Bizantin”. Kurse, sipas R. Bozhoviq “Peçenegët musliman janë bartës të mundshëm të kulturës arabo-islame në Ballkan”. Ai thotë: “Duke e marrë parasysh arsimimin e tyre të shkëlqyeshëm, që shumë historianë e theksojnë, gjithsesi se kanë qenë bartës adekuat të kulturës dhe natyrës arabo-islame”. Edhe Viljem Tirski shprehimisht pohon se “cubat e popullit endacak që bëhen synet (cirkumizohen) janë Peçenegët”.
Poashtu për përhapjen e Islamit janë edhe Turqit Vardarianë të cilët nga Anadolli I shpërnguli cari Teofil (829-842) për arsye se e pranuan Islamin dhe I vendosi në Maqedoni. Franjo Raçki mendon se turqit vardarianë zanafillisht kanë qenë musliman.
Shkaku tjetër I përhapjes së Islamit është edhe prania e muslimanëve në mbretërinë Bullgare gjatë Mesjetës. Sipas historianit shqiptarë S. Rizaj, Bullgarët depërtuan përtej danubit nga fundi I shekullit VII. Kurse Shaban Demiri në “Gjuhësi Ballkanike”, 1994 fq. 194, sundimin e bullgarëve në trojet iliro-shqiptare e vë gjatë viteve 815-1018. Poashtu Stephan Hill pohon se Bullgarët në fund të shekullit IX depërtuan gati deri në Durrës. Kurse V. Klaiq thotë se “në Bullgari dhe në vendet fqinje ka pasur musliman”. (Për me tepër shih N.Ibrahimi, vepër e cituar fq. 210-211)
Ka tregues se tregtarët, udhëpërshkruesit, teologët mistik ose jo, të cilët kanë luajtur rolin e misionarit, predikuesit të besimit Islam, i kanë vizituar vendet tona bregdetare, pastaj luginat e lumenjve dhe qendrat tregtare-qytetet shumë herët. Mandej ka të dhëna se kjo ka ndodhur shumë më përpara, d.m.th. para ardhjes së Osmanlinjëve në trojet tona dhe në ballkan. Fr. Raçki pohon se në fund të shekullit XI turqit qenë vendosur rreth liqenit të Ohrit. (Ali M. Basha, vepër e cituar fq. 39)
Kurse sipas gojëdhënave të qytetarëve të vjetër, rreth xhamisë së Marinarëve në Ulqin, thuhet se ka qen Xhamia më e vjetër në këto troje, të cilët turqit e kanë gjetur të ndërtuar kur kan ardhur në Ulqin me 1571. (Gazeta Elif, nr.12, fq.9)
Këto ishin disa nga shumë faktet e argumente të cilat konfiromojnë se Feja Islame ka egzistuar edhe para ardhjes së Osmanlinjëve në Ballkan e veçanërisht në trojet tona shqiptare, këto fakte hjedhin poshtë akuzat që I bëhen Islamit, kinse feja islame është përhapur me dhunë dhe me ardhjen e osmanlinjve në trojet tona. Për ta përfunduar çështjen e ekzistencës së Islamit në trojet tona para ardhjes së osmanlinjve, do të thonim se është detyrë e historianëve, në përgjithësi dhe atyre shqiptere në veçanti që të merren me këtë çështje. Kurse në këtë realitet, deri tash të heshtur, të parëve tanë musliman do t’u bëhet e padrejtë duke thënë se kanë qenë katolik, por turqia I bëri me dhunë muslimanë! Parullat e tilla, si duket, do t’I përdorin vetëm mediokrët dhe sharlatanët shkencorë, por jo edhe shkencëtarët e mirëfillt.
Këtë punim po e përfundoj me fjalën e All-llahut xh.sh. ku thotë në Kur’anin Famëlartë në suren Es-Saff ajeti 8:
Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e plotëson (përhap) dritën e Vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët”.

KU SHTRIHEN TROJET SHQIPTARE

KU SHTRIHEN TROJET SHQIPTARE

   “Në qoftëse ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë që ranë për lirinë e grekërve dhe që kanë dhënë ndihmesë jo më pak se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke.” (JANI VRETO)


     Shkruan: Isuf B.BAJRAMI

     Një nga çështjet për të cilat nuk është folur e nuk po flitet është: Sa e ka dëmtuar coptimi i 1913-ës edhe pjesën që ka mbetur gjoja e lirë brenda kufijve të shtetit ekzistues shqiptar? A është me të vërtetë e lirë kjo pjesë e kombit ? Nuk është fjala se duhet vetëm për t’i ditur këto gjëra, por për ta realizuar një lëvizje sa më të gjallë kombëtare. Duhet të buçasin të gjitha mjetet e informimit, duhet të botohen studime dhe libra, për t’i pohuar shkencërisht të vërtetat që na janë mohuar e po na mohohen aq padrejtësisht. Problemi kryesor më i ngutshmi është që duhet ta dime dhe t’i tregojmë me hollësi vetes dhe botës se sa e si janë tejdëmtuar Shqipëria dhe shqiptarët nga ndarjet dhe vendosjet e kufijve të dhunshëm mes neve. Zhgënjimi i madh ndaj fqinjëve, për tërë atë gjak që derdhën shqiptarët në altarin e lirisë së tyre, të bën të rikujtosh gjithnjë fjalët e Bajronit për Shqipërinë: “S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë” (1).
     Ku janë trojet autoktone të shqiptarëve? Cilat janë trojet e vërteta shqiptare? Autorë të ndryshëm dhe specialistë të gjeografise kane spjeguar me të dhënat e tyre për madhësinë e trojeve shqiptare. Sami Frashëri thoshte se: “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 70000 km2 (7). Studjuesi francez L. Uelavitch thote se: ’’Madhësia e sipërfaqes së Shqipërisë është 75000 km2’’ (8). Studjuesi tjetër shqiptar T. Selenica na jep një “sipërfaqe të Shqipërisë prej 80000 km2” (9).
     Ndërsa kufijt e vërtetë etnik të Shqipërisë, ashtu siç na i përshkruan Prof. A.Gashi, janë: (Shqipëria)

     Kufiri perëndimor
     Nga kjo anë Shqipnija etnike kufizohet me detin Jon dhe fillon nga Preveza e mbaron në pikën Skepi i Zi. Gjatësia e buzës në këtë anë është 651 km.
     Kufiri veri - perëndimor
     Ky kufi fillon nga pika Skepi i Zi e mbaron nga Ferro.
     Kufiri veri - lindor
     Ky kufi fillon nga veriu i katundit Shapoja, ecën nga lindja deri tek katundi Japor, pastaj varet nga jugu deri tek kuota 1548 e pastaj kthen përsëri në lindje të Karakollit të Osman Pashës nën kuotat 1619 - 1931. Kjo vijë e kufirit përmbledhë qytetin e Kurshumlisë, Prokuples, Leskocit dhe të Vrajes së bashku me rajonet dhe katundet e tyre.
     Kufiri lindor
     Ky kufi fillon nga Gradnica dhe mbaron në qoshin ku bashkohen dy lumenjtë Venetika e Vistrica me një gjatësi prej 342 km. Kjo vijë lindore fut përbrenda krejt viset e humbura mbas luftës Ballkanike (1912), të cilat përbëhen prej këtyre kryeqendrave dhe krahinave: Gjakovë, Prizren, Kaçanik, Vranie, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Krushevë, Përlep, Resnie, Manastir, Follorinë, Kostur, Naselicë e Grebenë.
     Kufiri jug - lindor
     Kjo vijë fillon nga pika ku bashkohet lumi Bistricë me Venetikon e mbaron në grykën e lumit Artë me një gjatësi gati 180 km.
     Kufiri jugor
     Përmbledh brigjet detare të gjirit të Artës. Këto brigje janë shume të përthyeme e kanë një gjatësi prej mëse 93 km dhe duke filluar nga goja e lumit Artë mbërrijnë tek qyteti i Prevezës.

     Brenda këtyre kufijve ndodhet Shqipëria, e cila shtrihet në jug - perëndim të siujdhesës Ballkanike, mbi brigjet detare të Adriatikut dhe të detit Jon, nga jugu në veri ndërmjet skepave Skepi i Zi në lindje të Vrajës gjatësi lindore nga Ferro (10). Me luftërat Ballkanike dhe Konferencën e Londres më 1913 plotësuan ëndërrat e shteteve fqinje, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe u vendos kufiri i sotëm që përmbledh më pak se gjysmën e Shqipërisë së vërtetë (11).
     Shqipëria etnike para ardhjes së turqve në Ballkan zinte një sipërfaqe prej rreth 110000 km2 (12). Në periudhën e pamvarësimit të shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Turqia u ‘’fali’’ këtyre shteteve rreth 5000 km2 të tokës Shqiptare (13). Pas luftës se vitit 1876 - 1877 me Rusinë, Turqia dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit rreth 25500 km2 të tokave Shqiptare (14).
     Në fund të shekullit XIX dheu i Shqipërisë etnike do të tkurrej në 80000 km2 me 2.5 milion banorë (15), ndërsa Konferenca e Paqës që u mbajt në Versaje më 1919 - 1920 do të pranonte se dherat shqiptare në vitet 1912-1913 zinin një sipërfaqe prej 90270 km2 me rreth 3 milion banorë (16). Përkundër këtyre pohimeve kjo Konferencë lejoji vendimet e Traktatit Paqësor të Londrës (1913) duke shkëputur nga trungu etnik shqiptar rreth 80000 km2 që iu shpërndau shteteve fqinje, kështu që Shqipërisë i mbetën vetëm rreth 28700 km2 (17). Ndërsa sipas Vjetarit Shteteror Statistikor të Shqipërisë sipërfaqja në km2 e shtetit shqiptar është 28748 km2 (18).
     Sipas dokumenteve historike të botuara qysh herët Ilirinë e Jugut grekërit e quanin Epir, ashtu siç e shihnin nga ishujt (20, 21). Është njëlloj, vazhdojnë studjuesit, si peshkatarët e ishujve Bohama ta quanin Floridën ‘’Kontinent’’. Emër që s’ka asgjë të përbashkët me kombësinë e popujve që jetojnë aty. Në pjesën që i kushtohet Greqisë, Straboni nuk e përmend Epirin kurse Ilirinë dhe Maqedoninë i trajton së bashku. “Pas epirotëve dhe ilirëve, thotë aivinë fiset greke” (22, 23). Sipas veprës Iliada, këto fise ‘’barbare’’ jo helene nuk bënin pjesë në Lidhjen kundër Trojës (24). Maqedonia dhe Epiri kishin një gjuhë të përbashkët jashtëhelene, thotë Straboni dhe Plutarku (25). “Epirotët e maqedonët, përforcon studjuesi gjerman Hahni (26), qenë fise të afërta me njëri-tjetrin ose me prejardhje të përbashkët”. Skënderbeu thoshte: ’’Nëse kronikat nuk gënjejnë, ne quhemi epirotas’’ ndërkohë që Barleti e quante Skenderbeun ’’Princ i epirotëve’’ (27). Ndërsa Pirroja quhej “Shqiponja’’ (28).
     ‘’Në Epir gjatë lashtësisë banonin vetëm popujt jogrekë, shkruante Tumman, që flisnin gjuhën maqedone ose ç’ka është njësoj gjuhën ilire’’ (29). Aristoteli te vepra e tij “Politika” (30) i kushton vëmendje të veçante Kushtetutës së Epirit (31), si e ndryshme nga ajo helene. Skylaki (32) i lashtë duke përmendur Ambrakinë (33) thotë: ’’...prej këtej nis Helada’’ (34). Aristoteli shkruan për ishullin Diomeda (35) në detin Adriatik se: ’’...kur vinë këtu helenët...’’ dhe më poshtë: ’’...kur vinë barbarët që rrojnë aty afër...’’. Të gjithë autorët e hershëm grekë gjuhën e Epirit e quajnë pellazgjike, jo greke. Në asnjë dokument a historian s’përmenden përkthyes në bisedime mes popujsh “barbarë”. Pasi ata merreshin vesh pothuaj në të njëjtën gjuhë të tyre johelene. Rrënjët e fjalëve të vjetra të Epirit s’njiheshin nga grekërit, sepse qenë të kohës së pellazgëve më të lashtë me të cilët grekërit trazuan gjuhë e kulturë (36).
     Në këtë rrjedhë historike studjuesi suedez Martin P. N. Nilson (37) thotë se: “Epiri nga çdo prirje del jogrek”. Perandori bizantin i shekullit X Luani i Mençur (38) thotë se: “Banorët e Epirit janë shqiptarë”. Studjuesi Lyber (39) shkruan se: “Ishulli i Korfuzit në zanafillë banohej nga ilirët”. Kronisti bizantin i shekullit XIV Mihal Dukasnantari (40) i Shtëpisë Perandorake tregon paanshëm se: “sunduesi i Janinës Thoma Preluboviqi, i mbiquajtur “shqiptar vrasës”, Janinën e pastronte nga shqiptarët në një mënyrë të tillë sa që dhëndrrit të vet shqiptar Gjin Bue Shpatës, i cili e rrethoi kërcënueshëm, i dërgonte me cinizëm si dhuratë shporta me sy të nxjerrë të shqiptarëve”! Megjithate, osmanët të kujdesshëm në regjistrime Janinën kur e pushtuan më 1431 e quajtën tokë shqiptare. Kështu ata shkruan Delvinë, Grebenë, etj. e jo Dhelvinon, Grevena, etj., pavarësisht se kishte ndodhur që në shekullin VI p.e.r. mbreti Tharip i Epirit në administratën e oborrit mbretëror kishte marrë me rrogë një athinas, i cili gjeti rastin dhe e hapi greqishten si një gjuhë të dytë (41).
     Bajroni sapo arriti në Prevezë shkruan: “Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi mbi ty, o nënë e rreptë burrash të ashpër”. Më tej vazhdon: “O Shqipëri, ku lindi Iskenderi...”. Duke e nisur një letër më 31.10.1809 ai shënon: “Janinë - Shqipëri”. Më tej përshkruan arritjen e tij: “Së pari zbrita në Shqipëri, Epiri i qëmoçëm, ku ne hymë gjer afër malit të Tomorrit...udhëtuam mes Ilirisë e Kaonisë...”. Në poemën e tij për shqiptarët, Bajroni shkruan për një nga fiset e njohur: “E kush është më trim se sulioti zeshkan”; më tej: “Agimi lind, me të çohen brigjet e Shqipërisë së rreptë, shkëmbinjtë e Sulit” (42).
     Dr. Holand në vitin 1812 - 1813 shënon në shënimet e tij: “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri’’. “Hyra në Epir në brendësi të Shqipërisë”, shkruan piktori i shquar Levis. Në vizatimet e veta piktori I. Leiç shënon mes të tjerash: “Janinë, kryeqytet i Shqipërisë; Qyteti dhe Kështjella e Paramithisë - Shqipëri; Varri i Ali Tepelenës – Janinë, Shqipëri; Kështjella e Pargës - Shqipëri; Lugina e Sulit – Shqipëri”, etj. Në ditarin e vet në Qefalon në Gusht 1823 Bajroni shkruan: “Suljotët qenë një kastë ushtarake e të krishterëve shqiptarë që rronin në male të larta, të cilat sundonin rrjedhën e lumit Akeron”. Për njerëz të tillë Bajroni vazhdon: “...ka diçka të trashëguar nga lashtësia, diçka epike nga koha e Pirros” (43).
     Në librin “Udhëzues për udhëtarët në Greqi” (44) thuhet se: “Shqipëri sot quhet tërë Epiri i lashtë si dhe provincat jugore të Ilirisë së hershme që arrijnë deri në gjirin Rizonik ose grykat e Kotorrit”. Marksi shkruan: “Duke zotëruar Durrësin dhe bregdetin shqiptar nga Tivari te Arta ... ai popull flet në gjuhën e lashtë ilire që bënë pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane” (45). Koloneli Lik (46) shënon se: “Shqipëria zë tërë vijën e bregdetit në lindje të Jonit dhe Adriatikut, e përfshirë në paralelet 39 – 43”. Duke qenë në Epir, ai shkruan se: “...aty rregulloheshin punët në atë mënyrë që qe e përgjithshme në Shqipëri”. Në zgjatje të Epirit më në Veri, Liku shkruan se: “Asgjë nuk mund të jetë më tërheqëse e më piktoreske se pamja e Luginës së Gjirokastrës ... katundet e shumta tregojnë se ajo është një nga rajonet më të lulëzuara të Shqipërisë”.
     Dijetari Spencer (47) bën një gjykim përgjithësues: “Mund të ndryshojnë emrat e një sërë rajonesh e t’i përfshijnë ato në provinca të tjera, por hartën natyrore të Shqipërisë s’ka dorë njeriu ta fshijë ndërkohë që banorët krishterë a myslimanë shquhen nga të njëjtat tipare, zakone, doke dhe prej të njëjtës gjuhë”. Dr. Holland gjatësinë e Shqipërisë e përcakton 250 milje; Lik e jep 30 milje në skajin jugor dhe 100 milje në pjesët e tjera, ndërsa kufijtë në bregdet i jep gjer në Prevezë dhe Sulin e quan rajonin e skajshëm të Shqipërisë. Ai plotëson më saktë duke thënë se: “Shqipëria nis me një rrip toke të ngushtë nga malet e Sulit në Vai të gjirit të Artës, duke u zgjeruar me një gjerësi që është vështirë të përcaktohet”; dhe vazhdon më tej: “Gjiri i Artës mund të quhet dalje kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë” (48).
     Shoku i shquar i Bajronit, Hobhauz, thotë se: “Kufijt e Shqipërisë mbarojnë në jug në gjirin e Lepentos, ose sipas disave në gjirin e Artës ... E tërë zona duke përfshirë dhe Akarnaninë mund të quhet pa gabuar Shqipëri”(49). Kur vizitoi fshatin Qestorat të Gjirokastrës, ai tha për shtëpitë e tyre: “...krejt ndryshe nga ç’kishim parë në Shqipërinë e sotme”. Të njëjtën gjë por nga një drejtim tjetër e përcakton ushtari anglez Paton: “Prej Novipazarit 10 orë larg tokës së Malit të Zi ... fillon shqipja e cila që këtej shtrihet për në jug drejt Epirit” (50).
     Dijetari Erkhart (51) Janinën e quan: “Kryeqytet i fiseve came”. Hjuz (52) duke e përcaktuar Janinën në Shqipëri shton se kësaj të fundit “mund t’i shtohet Arta e Lura”. Më tej Konicën e përshkruan si: “...një prej maleve më të mira të qytetit Shqiptar ... ka 5000 banorë me dy të tretat myslymanë, 600 shtëpi Shqiptare, 200 greke”. Pastaj flet për peshkopatën e Gjirokastrës Drinopollis (Dropulli i sotëm) me shkurtimin e emrit Fusha e Drinit (53). Parameje, shkruan Erkharti, kur doli përballë limaneve të Artës “shtrihet toka e Pirros, e Skënderbeut dhe e Ali Pashë Tepelenës”. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij, studjuesi Doduell (54) shkruan se: “Gjiu i Ambrakisë ndan Epirin nga Akarnania dhe në anën jugore të tij është fillimi i Greqisë“. Regjistrimet osmane kanë qenë mbajtur tepër saktësisht, pasi lidheshin me interesat ekonomike e administrative të tyre me rastin e krijimit të nahijeve. Epirit i shënojnë 617 mijë vetë, nga ku rreth 120 mijë grekë dhe 33 mijë vllehë dhe të tjerët i vë shqiptarë; pra, vetëm një e pesta grekë. Statistikat e Sanxhakut të Gjirokastrës në mesin e shekullit XIX shënojnë 148759 banorë; nga këta 68915 myslymanë, 60872 krishterë, 18972 grekë, asnjë vlleh (55). Çamëria kishte 212 fshatra të krishterë dhe 80 myslimanë. Statistikat më pas shënojnë se më 1913 në Çamëri 96% flasin shqip, ndërsa më 1940 bie në 80% (56).
     Pukëvili i njohur si filohelen shkruan (57): “Habitem shumë dhe nuk mund të kuptoj si ka ndodhur që në Çamëri dëgjohet vetëm gjuha shqipe, sikur shqiptarët të jenë këtu vendës e jo grekërit”. Napoleoni e quajti pashallëkun e Janinës (58): “...një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve”. Për këtë hapësirë shqiptare i apelohet Papës së Romës për të ndihmuar Epirin, kur i shkruhet nga Shqipëria “për një pjesë të vendit ... nga Gjiri i Artës në portin e Vlorës, përfshi Manastirin në kufi të Maqedonisë e Mecovën në shpatet e Pindit”. Në botimet e Pukëvilit (59) lexojmë: “...me numrin e tyre të madh, me guximin, zellin e veprimtarinë e tyre, shqiptarët do ia ndërronin një ditë faqen Greqisë”. Studjuesja e shquar rumune me origjinë shqiptare Dora D’Istria (60), thotë për shqiptarët në Greqi: “Vetmohimi e flija e tyre qenë ndihma më e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkëmbinjtë e mbi zellin e Pargës gjenden ende tepricat e një populli që dha jetën e vet për Pavarësinë e Greqisë. Atje ndodhen edhe gjurmët e gjakut të martirëve”.
     Bashkëkohësi i Ali Pashës, rusi i pranishëm E. Golubinski (61), thotë për të: ’’Atdheu i tij qyteti i Artës, nuk gjendet në Perandorinë e Konstandinopojës...por në një principatë të lire shqiptare. Ai qe pushtuar nga turqit më 24.03.1449’’. Këto thënie pohojnë atë që Ali Pashe Tepelena i tha lirshëm Bessierit francez: ’’Unë e quaj shtëpinë time Butrintin, Pargën, Prevezën dhe Vonicën’’. Çamëri quhet qarku i Shqipërisë që përfshinë krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës, Margëlliqit, Gumenicës, etj. Topografikisht, etnografikisht, folklorikisht, Çamëria përbënë një krahinë jo të veçantë të Shqipërisë’’ (62). Po kështu thuhet edhe më vonë: ’’Çamëria është pjesa më jugore e Shqipërisë dhe jep të dhëna për numrin e popullsisë në myslimanë e ortodoksë’’. (63)
     Historiani grek Sathos (64) shkruan se: ’’...në Mesjetë Thesprotia përmendet si krahinë e banuar kryesisht prej shqiptarëve’’. Një përcaktim të tillë e jep edhe Enciklopedia italiane (65): ’’Thesprotia është emri grek i Çamërisë’’. Edhe në Konferencën e Loussanos në janar 1913-të përfaqësuesi i shtetit grek M. Cacllamanos (66) në debatet e nxehta për Shqipërinë u shpreh: ’’...shqiptarët banojnë në një krahinë plotësisht të caktuar në Epir’’. Ç’ndodhi me tërë këta shqiptarë në Epirin e tyre?! “Tretja” nga çkombëtarizimi prej Patriarkanës dhe megalidesë motivoi parashikimin e diplomatit grek Stefano Skuludhis (67), shprehur me letër Ministrit grek të Punëve të Jashtme më 18.02.1877, ku thuhet: ’’...shqiptarët pa gjuhë të lëvruar, pa arsim të zhvilluar, pa fe të përcaktuar, nuk do t’i ruajnë dot për një kohë të gjatë kombësinë e tyre, po do të asimilohen gradualisht prej grekërve të Epirit’’.
     “O GAR THANATOS SOU ZOI MOU ! Thonë grekërit, që në gjuhën shqipe don të thotë: ’’ VDEKJA JOTE, RRITJA IME !’’. Fatkeqësi dhe fyerje për shqiptarët dhe Shqipërinë, për sakrificat që bëri për fqinjët e jugut. Më vonë ndodhi ajo që e thoshte Noli i madh: ’’Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona janë armiqtë më të këqinjtë tanë’’(68).
     Pas revolucionit francez (69), filloi një epokë e re. Me likuidimin e copëtimit feudal lindën tërësitë kombëtare. Një ndër shtetet që lindën pas kësaj periudhe është Greqia (1831), e cila u garantoi shtetasve të saj liritë civile, politike në masë të barabartë. Klauzola të tilla u përcaktuan me Traktatin e Londrës më 1829 (70), të Parisit 1856 (71), të Berlinit 1878 (72), që janë quajtur traktate ‘’Minoritare’’. Deri më 1914 ishin bërë jo më pak se 30 traktate të tilla ndërkombëtare. Siç u tha edhe më lart Pukëvili (73) shkruan: ’’Çamët jetojnë në jug të lumit Kalama. Distrikti i tyre shkon deri në Janinë. Vendbanimet e tyre kryesore janë: Suli, Paramithia, Luarati, Margariti, Parga dhe Agjia’’. Çamëria, pra, është një zonë e banuar nga popullsia autoktone shqiptare. Ajo e cila e përbënte pjesën kryesore të pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, në një sipërfaqe me 1950 km2, u çlirua nga pushtimi turk më 1912, në të njëjtën kohë si e gjithë Shqipëria.
     Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londres (1913) e më pas Koferenca e Firencës (74) që përcaktuan kufijtë e pjesës jugore dhe juglindore të Shqipërisë vendosën që kjo trevë shqiptare të kalonte nën sundimin grek. Ajo përfshinte 189 qytete dhe fshatra me një popullsi sipas regjistrimit turk të vitit 1908 mbi 72.000 banorë. Pas caktimit të kufirit shqiptaro – grek nga Protokolli Firencës (75), Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte trupat e pushtimit brenda një muaji nga Shqipëria e Jugut. Por personalitetet politike reaksionare greke me E. Venizellosin(76), i njohur si antishqiptar i tërbuar, penguan tërheqjen e forcave greke dhe manipuluan organizatën ‘’Autonomiste të Vorio - Epirit’’ (77), e cila me një terror të egër vërsulej kundër shqiptarëve që kërkonin bashkimin e atdheut të tyre.
     Më 02.03.1914, ministri i Greqisë J. K. Zografos bëri luftë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ai u bë edhe kryeministër i të ashtuquajturit ‘’Vorio - Epir’’ me qendër në Gjirokastër. Por kjo ‘’zonë e Autonomisë së Vorio - Epirit’’ nuk e pati jetën e gjatë se iu kundërvunë forcat e qeverisë së Vlorës. Rezistenca e popullit të kësaj zone të udhëhequra nga luftëtarët Muharrem Rushiti, Alush Taka, etj. (78) i shpartalluan forcat greke. Në vitet e mëvonshme 1923 - 1924 u ndoq politika e gjenocidit, dëbimit të popullsisë shqiptare me anë të kombinimit të detyrueshëm me popullsinë greke. Po ashtu u organizuan çeta të cilat bënin terror të paparë, u bënë shpronësimet arbitrare, u vunë sanksionet në ekonomi e bashkë me to inkurajuan e nxitën edhe përçarjen fetare midis shqiptarëve. Para këtyre veprimeve çnjerëzore që përbëjnë krime të rënda qëndrojnë deklaratat demagogjike të Greqisë për gjoja kujdesin dhe interesimin që ajo tregon për pakicat kombëtare që jetojnë në territorin e saj. Per shembull në Traktatin e Konstantinopojës 1881 (79), pasi mori provincën e Thesalisë dhe një pjesë të Epirit, u zotua se do të mbrojë pakicat kombëtare. Artikulli i tretë i traktatit thotë: “Jeta, pasuria, nderi, feja dhe veprimtaria e këtyre zonave të dhëna Greqisë dhe që do të mbeten nën administratën greke duhet të respektohen me kujdes. Ata do të gëzojnë të njëjtat të drejta politike dhe qytetare si dhe shtetasit grekë’’.(80)
     Në përfundim të Luftës së Parë Botërore Greqia nënshkruan në Servë (81) më 10.08.1920 Traktatin për mbrojtjen e të drejtave të gjuhës e të fesë të minoriteteve. Pas dështimit të fushatës ushtarake greke në Azinë e Vogël, Greqia u detyrua të nënshkruaj më 30.01.1923 në Lozanë një Konventë (82) për shkëmbimin e detyrueshëm të shtetasve turq me origjinë greke që jetojnë në Azinë e Vogël me shtetasit grekë të kombësisë turke që jetojnë në Thrakinë lindore. Për të mbikqyrur shkëmbimin sipas konventës u caktua një komision të përbërë nga katër anëtarë turq, katër anëtarë grekë dhe tre anëtar të zgjedhur nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve midis shtetasve që nuk kishin marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore. Këta u emruan më 17 shtator 1923: një danez, një spanjoll dhe një suedez. Ndërkaq qeveria greke vazhdoi fushatën e saj të shpifjeve kundër Shqipërisë edhe pse kishte deklaruar se nuk do të përfshinte shqiptarët e Çamërisë në shkëmbimin e popullsisë turke. Sigurime të tilla ishin dhënë edhe nga përfaqësuesi i Greqisë në Tiranë. Por për pabesinë dhe mungesë korrektsie grekërit përmenden që nga kohërat e vjetra. Aleksandri i Madh për këto veprime i përmend disa herë. Kështu dhe pasardhësit e tyre nuk e mbajnë fjalën, ndryshe firmosin e garantojnë dhe ndryshe veprojnë. Kështu që mijëra çamë u dëbuan nga vatra e tyre dhe u dërguan me forcë në Turqi duke i paraqitur si pjestarë të kombësisë turke (83).
     Shumë herë shqiptarët e Çamërisë gjatë kësaj periudhe i janë drejtuar Lidhjes së Kombeve me protesta dhe telegrame ku kane kërkuar prej saj mbrojtjen e të drejtave të tyre të shkelura nga qeveria greke. Në këtë kohë qeveria shqiptare e F. S. Nolit ndërhyn pranë Këshillit të Lidhjes së Kombeve me një letër më 11 Gusht 1924 ku i shkruan ndër të tjerash: ’’...Është deklaruar gjithashtu se çdo anëtar i Lidhjes së Kombeve ka të drejtë duke u nisur nga ndjenja e dashurisë të tërheqë vëmendjen e asamblesë ose këshillit mbi çdo rrethanë që cenon marrëdhënjet ndërkombëtare dhe që si pasojë rrezikon të turbulloje paqen ose mirëkuptimin midis kombeve...’’(84). Qeveria shqiptare i kërkonte Këshillit të Lidhjes së Kombeve që qeveria greke të përmbushë me besnikëri zotimin që kishte marrë në Konferencën e Lozanës që mos t’i trajtonte shqiptarët si turq. Si rezultat i telegrameve dhe protestave të vazhdueshme që i vinin Këshillit të Lidhjes së Kombeve nga krerët çamë dhe qeveria shqiptare, në muajin dhjetor 1925 Këshilli ftoi anëtarët asnjanës të Komisionit të mbikqyrte shkëmbimin e popullsisë greke dhe turke që të bëheshin garant përpara Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e pakicave kombëtare shqiptare. Më 15.03.1926, Këshilli i Lidhjes së Kombeve pohoi çështjet e ngritura nga delegati shqiptar më 04.12.1925.(85)
     Përfaqësuesit grek në Këshillin e Lidhjes së Kombeve iu tërhiqet vërejtja dhe pranoi për suprimimin e nënkomisionit të Epirit dhe ndaloi dërgimin e 800 personave të popullsisë çame nga fshatrat Kardhiç dhe Dhragomi që ishin përgaditur për t’u shpërngulur me forcë. Kjo ishte një fitore e pjesëshme për ndalimin e mëtejshëm të shpërnguljes së popullatës çame. Por nuk arriti asgjë për riatdhesimin e afro 33000 shqiptarëve çamë që u shpërngulën me forcë për në Anadoll. Kalojnë dy vite e gjysëm nga koha kur qeveria Shqiptare duke parë se deklarata e qeverisë greke nuk po zbatohej, përsëriti kërkesën e saj më 09.05.1928. Kjo kërkesë u shqyrtua në sesionin e 50 të Këshillit të Lidhjes së Kombeve më 05.06.1928.

     Në këtë sesion delegati shqiptar u përqëndrua në këto kërkesa:
1-     Qeveria greke nuk ka bërë asnjë deklaratë punimi publike,kështu që departamentet e ndryshme nuk dijnë që shqiptarët janë të shkëmbyeshëm dhe në këtë mënyrë kundër tyre vazhdojnë të merren masa shtrënguese.
2-     Kthimi i pasurive të marra popullsisë çame në favor të refugjatëve grekë të ardhur nga Azia e Vogël.
3-     Pjesëmarrja e popullsisë came në zgjedhje si edhe qytetarët grekë. Sipas numrit popullsisë çame i takonin dy përfaqësues ndërkohë që nuk kishte asnjë.
4-     Ndalimi i shpronësimit në kundërshtim me ligjet, që i bënte fshatarët shqiptarë pa tokë dhe pa kullotë.
5-     Ngritjen e shkollave në gjuhën shqipe.
6-     Lirimin nga disa taksa të tepërta, etj.’’.(86)

     Le të shikojmë dhe të krahasojmë arsimin në të dy anët e kufirit jugor se si i kanë zbatuar aktet ndërkombëtare. Këshilli i Lidhjes së Kombeve i mbledhur më 08 Gusht 1928, pasi diskutoi për problemin e pasurisë së shqiptarëve në Greqi dhe arsimin e tyre, vendosi që problemi të zgjidhet mebisedime dypalëshe, sipas akteve ndërkombëtare. Në këtë kohë, sipas dëshmive të komisionit hetimor, minoriteti grek në Shqipëri kishte shkollat me mësuesit e vet, me mësimdhënie në gjuhën amtare. Në të njëjtën kohë në Greqi ku pakica kombëtare shqiptare, dy herë më të mëdha se pakica greke në Shqipëri, nuk kishte as edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe. Fan Noli në cilësinë e tij si kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve deklaroi para asamblesë më 1924: “Çamëria, tërësisht shqiptare e aneksueme Greqisë më 1913 nuk ka të drejtë të ketë një shkollë të vetme, në një kohë që minoriteti i vogël grek në Shqipëri ka shumë shkolla greke...’’.(87)
     Edhe vet Venizellosi (88) në vitin 1924 përpara Lidhjes së Kombeve deklaron se në zonën e Epirit që përmblidhte edhe Çamërinë nuk kishte asnjë shkollë për pakicat kombëtare shqiptare. Ky përfaqësues i
Greqisë, megjithëse dha premtime përpara Asamblesë, asnjë ndryshim nuk e bëri. Në vitin 1933 doli Kushtetuta e Re e shtetit Shqiptar që ndalonte funksionimin e shkollave private në Shqipëri. Kështu u ndryshua Neni 5 - të i deklaratës shqiptare të 2 tetorit 1912. Si pasojë e zbatimit të këtyre dispozitave u mbyllën 48 shkolla private të llojeve të ndryshme si dhe 19 shkolla të huaja private. Këto shkolla ndaheshin: “21 Shkolla Laike, 14 Shkolla Moslemane, 7 Shkolla Katolike, 6 Shkolla Ortodokse’’.(89) Për mbylljen e 6 shkollave private ortodokse qarqet shoviniste greke të tërbuara se u prekën të drejtat e pakicës greke bënë ankesë në Këshillin e Lidhjes së Kombeve.
     Delegati shqiptar në seancën e 14 - të, më 18 janar 1935, deklaroi: ’’Shtetasit shqiptar që u përkasin pakicave të racës, fesë apo të gjuhës, do të gëzojnë të njëjtin trajtim si dhe të njëjtat garanci në të drejtë dhe në fakt si edhe shtetasit e tërë shqiptarë. Arsimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë i rezervohet shtetit. Arsimi fillor do të jetë i detyrueshëm dhe do të jepet falas,...’’(90). Pas shume debatesh në përfundim Dhoma Parlamentare e Drejtorisë Ndërkombëtare vendosi për ndalimin e shkollave private në Shqipëri më 15 prill 1935.Vlen të theksohet se qarqet shoviniste greke bënë një zhurmë të madhe për mbylljen e 6 - të shkollave ortodokse dhe heqjen e dy mësuesve. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve u paraqitën statistikat e kohës të cilat tregojnë se: ’’...popullsisë shqiptare i takonte të shkojë në shkollë 4.8%, ndërsa për pakicën greke në Shqipëri, në atë kohë shkonin në 9.9%, kurse pakica kombëtare shqiptare në Greqi nuk kishte asnjë shkollë. Kurse në Greqi në vitin 1930 vetëm 75% të fëmijëve ndiqnin shkollën me minoritetin grek në Shqipëri, me financat e shtetit e ndiqnin 79.3%. (91)
     Më 1938 prefekti grek në Çamëri Andonaqas e ndaloi zyrtarisht përdorimin e gjuhës shqipe në Çamëri (92). Të gjitha këto plane shfarosëse përgaditën tragjedinë e madhe, tragjedinë më të madhe për çamët në vitet 1944 - ’45, ku shovinistët grekë vranë me mijëra çamë dhe shpërngulën me dhunë popullsinë shqiptare të besimit mysliman nga trojet e veta autoktone (93). Duke u munduar që të lihen mbrapa (në harresë) tragjeditë e trojeve dhe popullsisë çame, ’’Omonia’’ vazhdon komedinë e vet përpara me pretendime të reja; siç duket zbaton thënien e ministrit grek Samaras në ‘’Neo Thesprotia’’ se: ’’...minoriteti në Shqipëri është shtylla jonë ku ne do të mbështetemi atje për të ardhmen’’. Më qartë s’ka se si thuhet. Nëse marrin argument integrimi faktin se në Shqipëri ka pasur koloni helene, atëherë bukur e thote një thënje Abdyl Frashëri (94): “...se grekërit duhet të kërkojnë edhe Italinë Jugore, Azinë e Vogël, Rumaninë dhe Marsejën e Francës!!!’’.
     Në qoftëse ata vazhdojnë të ngrehin pretendimet e njohura dhe të vjetra territoriale ndaj Epirit, atëherë, siç thoshte Jani Vreto: ’’Do të dridhen varret e etërve, vëllezërve shqiptarë, që ranë për lirinë e grekërve dhe që kanë kontribuar jo më pakë se grekërit në themelimin e Mbretërisë greke (95). Greqia e sotme nuk mund të quhet shtet demokratik. Ajo është antidemokratike,e mund ta quajmë me plot meritë një shtet mesjetar. Shteti grek jo vetëm që nuk i njeh të drejtat e çamëve, por as nuk i lejon të vizitojnë trojet e tyre ku i kan varret e të parëve. Nuk ka asnjë ligj në botë që të përvetësojë me dhunë tokën, shtëpinë dhe pasurin e tjetrit. Grekërit me dekada i shfrytëzojnë pasurit e çamëve!. Po djemve dhe vajzave shqiptare, që të detyruar për bukën e gojës shkojnë me koka të ulura për të punuar,pse u ndërrohen emrat, kombësia dhe u varin kryq të zinjë ortodoks që qafë?! Pse i keqtrajtojnë si skllevër?. Vlen t’iu bëhet kjo pyetje edhe përfaqësuesve të Evropës, SHBA, Japonisë, etj.  cilët morën pjese në ceremoninë e 2500 vjetorit të demokracisë greke më 04 tetor 1991, përse nuk pyetët a ka sot demokraci Greqia?!.
__________________

1.”Correspondence de Lord Byron”, Paris, 1825
2. Z. Mirdita, ”Mitet dhe mitologjia në antikë”, Rilindja Prishtinë 1988, fq. 147
3. ”The memoirs of Ismail Kemal Bey”, London, 1920
4. 
Dr. Ali Hadri, ”Historia e popullit shqiptar”, (për shkolla fillore), Prishtinë 1966, fq. 82
5. Po aty.
6. Po aty.
7. Sami Frashëri, ”Dheshkronja”, Bukuresht, 1886
8. L. Uelavitch,”L’Albania”, Paris, 1902
9. T. Selenica,”Shqipëria në vitet 1927”, ”Nezioni geografiche sul Albania”, Roma, 1902, fq.5
10. ”Kosova” (OSHAPK.), Tiranë nr. 20, 8 dhjetor 1991, fq.1
11. Dr. Muhamet Pirraku, ”Ripushtimi jugosllav i kosovës”,fq.7
12. Dr. Muhamet Pirraku, ”Kultura kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, Prishtinë 1979, fq.11-20,
13. ”Dielli”, nr.21/27, 1979
14. Mr. Kolë Krasniçi,”Roli i fesë në ruajtjen e identitetit dhe të harmonisë kombëtare te shqiptarët”,Vjenë 1996, fq. 56-58
15. Ahmet Hamiti, ”Çështja shqiptare”, Koha, nr.14/1991, fq. 26
16. Liman Rushiti, ”Stradanja albanskog Naroda na Kosovu “1912-1918, Zagreb 1991, fq. 24
17. Dr. Muhamet Pirraku, ”Kultura kombëtare Shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit”, Prishtinë 1979, fq.6
18. Vjetari Statistikor  class="GramE">i Shqipërisë,1991, fq.12
19. Konferenca e Ambasadorëve (1912-1913), shih FESH, fq. 503
20. Po aty, fq. 812
21. Hansjërg Frëmmer, ”Die Illyrer”, Karlsruhe, 1988
22. HPSH, pjesa parë, fq. 46
23. Straboni ,VII-5
24. Homeri, ”Iliada”
25. Lufta e Trojës, shih “Fjalor i mitologjisë”, fq.150
26. Po aty.
27. J. G. Fon Han, ”Albanesische Studien”, Wien, 1854
28. M. Barleti, ”Historia e jetës dhe e veprave të Skënderbeut”, Rilindja, Prishtinë, 1982.
29. Neoptolemi (Pirroja), shih. ”Fjalor mitologjik”, fq. 173
30. Johan Erik Tunman (1746-1778), ”Untersuchungen uber die Geschichte oestlichen europaeischen Voelker”.
31. Aristoteli, ”Politika”, Rilindja, Prishtinë, 1978
32. Po aty.
33. Po aty.
34. Po aty.
35. Po aty.
36. Po aty.
37. Agim Shehu, ”Kombi”, nr. 8,9,10, fq. 4
38. Martin P. N. Nilson,”Studien z.Geschichte d’alten Epiros”, Lun, 1909
39. Po aty.
40. Lyber, ”Fjalori i Antikiteteve klasike”.
41. Po aty.
42. A. Shehu, Po aty.
43. Bajroni, Po aty.
44. A. Shehu, Po aty.
45. ”Manual për udhëtar në Greqi”.
46. A. Shehu, Po aty.
47. 
Uilliam Martin Lik, ”Travels in Northern Greece”, 1835
48. 
A. Shehu, Po aty.
49. A. Shehu, Po aty.
50. A. Shehu, Po aty.
51. A. Shehu, Po aty.
52. A. Shehu, Po aty.
53. A. Shehu, Po aty.
54. A. Shehu, Po aty.
55. A. Shehu, Po aty.
56. A. H. Stamboll, Po aty.
57. F. C. H. Pukëvil (1770-1838), ”Voyage de la Greece”, Paris, 1820 dhe Histoire de la regeneration de la Greece.
58. Napoleon, ”Kujtime”, Bruksel, 1834
59. Pukëvil, Po aty.
60. A. Shehu, Po aty.
61. A. Shehu, Po aty.
62. ”Enciklopedia e Madhe Elenike”, v. 223.
63. ”Enciklopedia greke”e vitit 1936
64. A. Shehu, Po aty.
65. ”Enciklopedia italiane” e vitit 1972
66. Arben Puto,”Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha”,1912-1914
67. Stevano Skuludhis, (Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë), ”Letër”, 18.02.1877
68. A. Shehu, Po aty.
69. Rasim Bedo,”Çamëria”,nr.19 (38), fq.3 , Dhjetor 1992
70. R. Bedo, Po aty.
71. R. Bedo, Po aty.
72. R. Bedo, Po aty.
73. Pukëvili, ”Reise durch grecheuland”, Hamburg 1824
74. HPSH, pjesa e dytë, fq. 401
75. Po aty.
76. Po aty.
77. Po aty.
78. R. Bedo, Po aty.
79. Po aty.
80. Po aty.
81. Po aty.
82. Po aty.
83. Po aty.
84. R. Bedo, Po aty.
85. 
Dhimitru, ”Das Mindercheitenrech in Grechenland”, Hamburg, 1935
86. Zeitschrift fur geschischtwissenschaft, nr. 1976
87. 
Gazeta “Bashkimi”, 1924
88. Po aty.
89. Gazeta “Besa”, 1935
90. Po aty.
91. Po aty.
92. Gazeta “Zëri i Çamërisë”, 1945-1946
93. Po aty.
94. Abdyl Frashëri, Gazeta,”Moniteur Universal”, Paris, Maj 1879
95. D. Shehu, Gazeta “Çamëria”, nr.1(20), Janar 1992, fq.7-8